Mode
Saturday, June 24, 2017

Pulla postare është një simbol i historisë, traditës dhe zhvillimit të një vëndi.

Me emëtimin e pullës së parë postare shqiptare u konsolidua dhe shërbimi postar me indentitet shqiptar, e cila ka qënë kurdoherë pjesë shprehëse e identitetit tonë kombëtar. Vetë udha e gjatë dhe e bukur , e pullës është një pasuri e vyer e jona. Si pasqyrë adekuate e historisë së popullit shqiptar, ajo ka patur perherë fytyrën e saj të papërsëritshme, portretin e vet autentik. Ky portret filloi të skicohej menjëherë pas Aktit madhor - Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912.  Fillimisht, me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, për vetë rrethanat në të cilat ndodhej administrata e Qeverisë së Ismail Qemalit, vazhduan të ekzistojnë postat osmane. Madje ishin po ata nëpunës, që deri në maj 1913, përdorën vulat dhe pullat turke.

Gjërat hynë në normalitet duke filluar nga 5 maji i vitit 1913, kur u emetua dhe u vu në qarkullim  pulla e parë kombëtare shqiptare. Qeveria e Ismail Qemalit, duke patur në përbërje të saj si Ministër të Postave intelektualin e njohur Lef Nosi, i kushtoi vëmendje të vecantë veprimtarisë postare përgjithësisht dhe emetimit të pullave posacërisht. Vetëm në pak muaj të ekzistencës së saj, më 7 korrik 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës bëri kërkesë për antarësim në Bashkimin Postar të Përbotshëm, realizimi i së cilës zgjati më shumë se tetë vjet. Pikërisht në tetor të vitit 1922 Shqipëria u bë anëtare e UPU-së.
Po kështu, nisur nga nevojat tejet të mëdha për pulla postare në fillimet e shtetit shqiptar, Ministria e Postave  bëri zgjidhje shumë efektive e praktike.Brenda një periudhe tetëmujore, mars-dhjetor 1913, u emetuan gjashtë emisione pullash.

Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua afro gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, sic janë pullat aktualisht,por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfa. Kjo pullë-vulë në zarfa me ngjyra të ndryshme kushtonte 1 grosh dhe u nxorr në shitje në 11 qytete ku funksiononin zyrat postare të ngritura gjatë pushtimit osman. Ajo u vu në qarkullim më 5 maj 1913. Karakteristikë ishte edhe prerja e vulës nga zarfet origjinale dhe vendosja e qarkullimi mbi zarfe të tjerë, praktikë e njohur dhe e përligjur  nga Ministria e Postave.

I ngjashëm me të parin është edhe emisioni i dytë, ndonëse disi më i përsosur. Përsëri kemi të bëjmë me një pullë-vulë të vetme, me formë të rrumbullaktë, me dy rrathë koncentrikë brenda të cilëve është shkruar: "Postat e Qeverries së Përkohëshme të Shqipënies". Cmimi i saj nuk shkruhet në pullë, por dihet që ka qënë gjithashtu 1 grosh. Ky emision qarkulloi në periudhën maj-nëntor 1913. Përvec se e shtypur mbi zarf (2442 copë),  kjo pullë u shtyp edhe ne fletë të bardha (800 copë). Ajo qarkulloi e prerë me makinë qepëse dhe e ngjitur rishtas mbi zarf. Vula e dytë në disa raste u falsifikua nga spekulantë të ndryshëm.

Tejet interesant, madje si një nga më të larmishmit në historinë e filatelisë sonë është emisioni i tretë. Jo rastësisht ai është ndër më të kërkuarit nga filatelistët. Ky emision u përdor në zyrat e postës nga 16 qershori deri më 20 tetor 1913. Për të  Posta Shqiptare shfrytëzoi një sasi të konsiderueshme pullash të administratës pushtuese osmane të viteve 1909-1910 (gjithsej 39800 pulla), të cilat kishin mbetur pa u përdorur. Mbi to, nëpërmjet një vule dore prej bakri, u vendos mbishtypja: një shqiponjë dykrerëshe dhe nën të fjala "Shqipënia". Vlerat e tyre variojnë nga 2 para deri në 50 piastra, kurse tirazhet nga 16 copë (50 piastër) deri në 11607 copë (tirazhi më i lartë i vlerës 20 para).

Vec tirazhit shumë të ulët, sidomos për disa nga vlerat, rrallësia e këtyre pullave lidhet edhe me ngjyrat e ndryshme të mbishtypjes: e zeza (ngjyrë dominuese), e kaltërta, e kuqja, tulla dhe vjollca. Ky emision, i pari i gomuar, për vetë kushtet e kohës kur u vu në qarkullim, ka edhe mjaft gabime, sidomos rastet e mbishtypjes mbapsht, të cilat kërkohen shumë nga filatelistë të vendit e të huaj.

Si në të gjitha shtetet e tjera edhe në Shqipëri filatelia ka qënë pjesë e kulturës dhe e lidhur ngushtësisht me historinë. Këtë e dëshmon më së miri edhe periudha midis dy luftrave botërore. Kjo periudhë pasqyrohet në filateli me vecoritë e saj specifike. Ndër to mund të përmendim p.sh., numrin e paktë të emisioneve të emetuara në vitet 1914-1919, pra gjatë Luftës së Parë Botërore. Ato kanë qënë kryesisht emisione pullash lokale si në Shkodër, Korcë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Himarë, Elbasan etj. Larmi emisionesh emetuan edhe fuqitë ndërluftuese të Luftes së  Parë Botërore që pushtuan Shqipërinë. Këto emisione qarkulluan së bashku me vulat datare që mbajnë shkrime në gjuhët e këtyre fuqive pushtuese.

Jo rastësisht, por nisur nga kuriozitetet e shumta, po vecojmë nga kjo periudhë historinë postare dhe emetimin e pullave nga Qeveria e Përkohshme e  Durrësit, e kryesuar nga Esat Pashë Toptani .

Pas largimit të Princ Vidit, duke filluar nga 2 tetori 1914, Esat Pasha formoi Qeverinë e Përkohshme të Durrësit. Në këtë kohë zyrat postare ishin të mbyllura; shërbimin postar e kryenin postat e Levantit austriak dhe atij italian. Kjo situatë e detyroi Esat Pashën që më 9 janar 1915 të celi zyrat postare në Durrës, Elbasan, Shijak, Lezhë, Kavajë. Fillimisht u përdorën pullat me portretin e Skënderbeut, me vlefta në qindar dhe në para e grosh, të cilat u gjetën në postën e Durrësit. Ato u mbishtypën me myhyrin e Esat Pashës. Emisioni përbëhet nga 9 vlefta si pulla postare, 5 vlefta si pulla taksë, me një mbishtypje “T” dhe dy kartëpostare të thjeshta 5 dhe 10 para.

Sigurisht kjo sasi pullash nuk i plotësonte kërkesat për një kohë të gjatë. Prandaj Qeveria e Esat Pashës vendosi të vinte në qarkullim dy emisionet “Tarabosh”, të porositur qysh në vitin 1913 nga Pleqësia e Shqipërisë së Mesme. Ishin gjithsej 12 vlefta, nga të cilat 7 të formatit 27x30 mm dhe 5 të formatit 27x34 mm. Këto pulla, që gjithashtu kanë si mbishtypje një myhyr të rrumbullakët me gërma arabe, u përdorën, duke filluar nga 10 shkurti 1915 në Shqiperine e Mesme, madje edhe në Berat e Skrapar.

Pas këtyre emisioneve, do të duhej të vinte viti 1919 që të dilnin në dritë disa emisione të tjera interesante: Zarfi me “Zyra e Financavet n’Elbasan”, me tirazh 500 kopje, që u vu në qarkullim gjatë muajit janar 1919; emisionet lokale të Shkodrës me mbishtypje të pullave fiskale të administratës austro-hungareze, që ishin gjendje në zyrat e financës në Shkodër, si dhe pulla 1 grosh e emisionit të vitit 1919 me mbishtypjen “SHKODER 1919” në formë ovale.
Në periudhën që vijon ka vite të tëra si ato 1921, 1926, 1932, 1935, 1936, kur nuk u emetua asnjë emision . Gjithashtu, krahas numrit të paktë të emisioneve, karakteristikë është edhe ngushtësia tematike. Zotëruese mbetet tema politike. Në vijim të një tradite edhe të vendeve të tjera, në pulla filloi të dukej përherë e më shumë portreti i mbretit, Ahmet Zogut, (në periudhën deri në 1939 shumica e pullave janë me fytyrën e tij), ndërsa gjatë pushtimit italian spikat shpesh fytyra e Viktor Emanuelit III. Me interes të vecantë dhe që e kapërcenin disi këtë ngushtësi tematike, ishin pullat ajrore. Duke patur të fiksuar figurën e avionit, ato tregonin se i shërbenin postës ajrore, cka përligjte edhe tarifën e lartë që kishin.

Pra filatelia shqiptare e periudhës 1913-1944, sic e theksuam edhe më sipër, është mjaft interesante. Këtu mund të përmenden jo pak emisione që janë bërë tejet të rrallë: zarfat me vulë ari të pullave me fytyrën e Skënderbeut, zarfi me vulën e Zyrës së Financave të Elbasanit, zarfi me vulën e Tepelenës, zarfi me vulën e Beratit, emisioni gotik me mbishtypjen "Mbr . Shqiptare", pullat e Komisionit të Kontrollit Provizor të Korcës, emisioni i 19 marsit 1915 kushtuar ngritjes së flamurit në fortesën e Shkodrës, ato të pushtimit grek, italian dhe gjerman, sidomos emisioni i 14 shtatorit 1943, që spikat vecanërisht për shumëllojshmërinë e gabimeve etj .

Emisioni i "14 shtatorit 1943” përkon me datën e mbajtjes së mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese, që përligji shtetin kuisling shqiptar. Seria përbëhet nga 14 pulla të viteve 1939-1940, nga të cilat 13 vlefta ordinere dhe 1 ekspres, të mbishtypura me “14 shtator 1943”. Ajo u vu në qarkullim më 18 shtator 1943 në postën e Tiranës, por pa kaluar dy ditë u urdhërua bllokimi i saj, pasi ishin konstatuar rreth 23 gabime në mbishtypje në 153 vlefta. Si e tillë është pranuar data 23 tetor 1943, e miratuar kjo edhe nga UPU-ja, që është njëherësh edhe dita kur në sportelin e postës së Tiranës emisioni ridoli në shitje.

Në qytetet e tjera të Shqipërisë ky emision u vu qarkullim gjatë muajit nëntor 1943, gjë që dëshmohet edhe nga zarfat që filatelistë të ndryshëm kanë në koleksionet e tyre.
Një tablo tërheqëse paraqet për filatelinë edhe periudha pas clirimit të Shqipërisë dhe deri në vitet 90 te shekullit XX. Ajo shquhet sidomos për bollëk emisionesh (mesatarisht 10 emisione në vit), për tematikë më të larmishme se më parë, për një raport deri diku të drejtë midis tematikës kombëtare e asaj të huaj, për pamje të shumta në cdo emision etj. Përgjithësisht pullat janë të politizuara e të ideologjizuara. Ka emisione të përsëritur cdo pesë vjet për ngjarje të caktuara përkujtimore historike , sic ka dhe tirazhe shumë të mëdha. Një sy i vëmendshëm nuk e ka të vështirë të dalloj se në këtë periudhë është pasuruar tematika me emisione nga flora dhe fauna, nga sporti, nga arti (pulla me pamje veprash arti në pikturë e skulpturë), nga arkeologjia etj. Por gjithashtu është fakt se ka fare pak Zarfa FDC dhe Kartëpostale zyrtare.

Pas mbishtypjeve të bëra në fund të vitit 1944 dhe në fillim e në vazhdim të vitit 1945, më 28 nëntor 1945 administrata e Postës hodhi në qarkullim një emision me tri pamje e gjashtë vlefta, me ngjyra të ndryshme me mbishkrimin “Qeveria Demokratike e Shqipërisë”. Më vonë këtij emisioni iu bënë katër mbishtypje radhazi. Mbishtypja e parë mban datën 10 janar 1946, e dyta 1 korrik 1946, e treta 26 korrik 1946 dhe e katërta 22 shkurt 1948. Këto emisione do të pasoheshin nga mjaft të tjerë që do t’i kushtoheshin ngjarjeve të caktuara të historisë së popullit tonë apo përvjetorëve të figurave të shquara , ndërtimit të hekurudhave të para, fluturimeve në kozmos, lojërave olimpike etj.

Deri në vitin 1957 pullat shtypeshin jashtë Shqipërisë. Pas këtij viti ato u shtypën në shtypshkronjat tona. Eshtë rasti këtu të kujtojmë me respekt dhe t’u shprehim mirënjohjen tipografëve të parë të pullave shqiptare të specializuar në Gjermani, Sadik Dinga dhe Sulejman Maci.

Në dhjetëvjecarin e fundit, duke filluar pas vitit 1990, pra me proceset demokratike, krahas oshilacioneve të kuptueshme të viteve të para të tranzicionit 91, 92, 93, janë bërë përpjekje serioze nga Komisioni Shtetëror i Pullës dhe Drejtoria e Postës Shqiptare për mënjanimin e politizimit të pullave; cilësia e botimit të tyre është më e mirë, pasi janë shtypur në Zvicër e Greqi, kurse tash e tutje do të shtypen në Angli. Po kështu përgjithësisht janë mbajtur tregues optimalë për tirazhet e pullave, nisur nga nevojat e afrankimit dhe të koleksionimit të tyre. Karakteristikë e kësaj periudhe është  edhe fakti se thuajse cdo emision i emetuar shoqërohet me Zarfin FDC, të vulosur me vulë speciale. Kjo ka bërë që te filatelistët, vendas e të huaj, të rritet interesi për koleksionimin e këtyre zarfeve.

Aktualisht katalogu i pullave postare shqiptare numëron mbi 3640 pamje të ndryshme pullash. Me shume kujdes eshte patur parasysh qe temat kombetare te zene vendin me te madh ne emetimin e emisioneve te reja Shqiptare. Vlen te permendet paraqitja me dinjitoze e saj si nga ana cilesore, kompozicionale dhe futja e elementeve te reja filatelike sic jane  karnetet me nje dhe dy seri, zarfa te dites se pare me skica grafike, foldera te madhesive te ndryshme,albume vjetore filatelike etj.

Nje element i ri eshte idejimi dhe prodhimi i liberthit filatelik per emisioni “Emblemat Shqiptare”, e cila permban kater seri pullash me sqarimet perkatese per cdo embleme te paraqitur. Permiresime te dukshme ka patur dhe menyra e kompozimit ne forma te reja me te paraqiteshme dhe praktike te emisioneve te pullave Shqiptare.

Emisionet jane paraqitur ne tabake me nga 8,9,10,12,16,20 dhe 25 pulla ne nje tabak. Shume emisione jane te kompozuara mjaft bukur ne forme blloku ku ne te paraqiten te gjitha pamjet e nje emisioni si p.sh. cikli i emisioneve te “Kostumeve Kombetare”, “Urate e vjetra Shqiptare”, ”Arti Shkëmbor në Shqipëri”, “Berati, qytet-muze i mbrojtur nga UNESCO si dhe ambjente te brendeshme te shtepive karakteristike sic eshte emisioni “ Tymtare Shqiptare”.
Ne kete kuader eshte dhe cikli i emisioneve per femije me figurat me te njohura ne filmat me kartona.

Figurat e shquara kombetare kane zene nje vend te rendesishem duke perkujtuar atdhetare, shkrimtare,klerike,politikane,artiste,sportiste, etj. Emisionet “Flora” dhe “Fauna” e vendit tone jane te pranishme ne tematikat e viteteve te fundit dhe jane paraqitur mjaft bukur nga piktoret tane. I njejti perkushtim eshte treguar dhe per evenimentet, aktivitetet dhe figurat e shquara nderkombetare ku nje vend te rendesishem ze cikli i emisionit “Europa”.

Tematika e ketij emisioni eshte e orientuar nga administrata e Posteuropës. Mjaft interesante jane emisionet e figurave te shquara boterore duke filluar qe nga figurat politike,shkencetare,shkrimtare,muzikante,piktore ,etj.
Eshte patur kujdes qe te paraqiten evenimentet kryesore boterore sic eshte emisioni per OKB-ne, Keshillin e Europes, NATO,UNICEF-in, UNHCR-ne etj.
Aktivitetet sportive boterore jane pjese e emisioneve tona si : Kampionate Europiane, Boterore etj. Permiresimi i paraqitjes nga ana kompozicionale e pullave eshte rezultat i punes te nje stafi te rinj piktoresh qe marrin pjese krahas piktoreve me ne ze ne realizimin e bocetave te pullave.

Me rëndësi të veçantë është dhe rikthimi i prodhimit të pullës postare shqiptare në Shqipëri që nga viti 2007 me standarte dhe cilësi shumë të mirë.Gjatë këtyre viteve janë emetuar disa emisione të rëndësishme për kombin tonë siç është emisioni dedikuar vizitës së presidentit amerikan Xhorxh W. Bush më 10 qershor 2007, emsioni “Shqipëria në NATO, 3 prill 2008” me rastin e ftesës për antarësim të Shqipërisë në Nato, emisioni “Pa viza në Europë” me rastin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Me shumë  vlerë historike dhe bashkëpunimi është emisioni i përbashkët Shqipëri-Kosovë- Maqedoni dedikuar 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës .

Gjatë këtyre viteve ka pasur një zhvillim të mëtejshëm të teknollogjisë për prodhimin e pullës dhe rritjen e kualitetit të saj.

Në vitin 2012 u emetuan shumë emisione të rëndësishme siç ishin “ 100-vjet pavarësi (Logo)”, “100-vjetori i shpalljes së pavarësisë”, 100-vjetori i ushtrisë shqiptare”, 100-vjetori i Post-Telegraf-Telefonave” këto pulla janë gurët e 100 kilometrik i historisë së kombit tonë.GJithashtu në kuadrin e bashkëpunimit u realizua një karnet i përbashkët Shqipëri- Kosovë-Maqedoni me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe në bashkëpunim me Postën Shqiptare organizuan ekspozitën me pullat postare

Kjo ekspozitë u organizua në ambientet e ambasadës me një pjesëmarrje të gjerë ku pati një interes të jashtëzakonshëm nga përfaqësues të trupave diplomatikë, historianë, studiues akademikë  britanikë dhe filatelistë  dhe koleksionistë përfaqësues të Anglo-Albanian Assocation më e vjetra shoqatë në Britaninë e Madhe si dhe miq dhe të ftuar shqiptaro-britanikë.

Fjala përshëndetëse u mbajt nga i ngarkuari me punë I Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe z.Mal Berisha.

Nga të pranishmit u ndoqën me interes pullat e përvjetorit të parë të pavarësisë, përvjetoret e Lidhjes shqiptare të prizrenit, 800 vjetori I shtetit të Arbërit, emisionet për Nënë Terezën, per Ledy Dajanen,   kostumet kombëtare shqiptare emblemat apo përvjetore të ndryshme,

Ekspozita qendroi e hapur deri në ditët e para të dhjetorit 2012 dhe u vizitua  nga shumë akademikë, koleksionistë, filatelistë,   miq dhe dashamirës të pullës postare shqiptare.

 

Në  5 maj 2013 pulla postare shqiptare mbushi plot 100-vjet, një rrugtim i gjatë që nga momentet e para të emetimit të pullës së parë postare shqiptare.

Me këtë rast u emetua emisioni “100-vjetori i pullës së parë postare shqiptare” i cili është i përbërë nga 1 seri me 2 pamje,Zarfin e ditës së parë dhe Karnetin.Gjithashtu u hap një ekspozitë e përbashkët me Shoqatën e Koleksionistëve të Shqipërisë ku Posta Shqiptare pasqyroi rrugtimin e pullës postare shqiptare në 100 vite dhe koleksinistët pasqyruan koleksionet e tyre me tematika të veçanta si Posta ajrore, Kartmaximumet, FDC e udhëtuara, ekspozita u hapën gjithashtu në Fier, Shkodër dhe Korçë ku janë dhe qëndrat kryesore të filatelisë shqiptare në rrethe.

Nepermjet pullës postare shqiptare e cila përbën filatelinë Posta Shqiptare ka marre pjese ne shume aktivitete nderkombetare filatelike ku eshte ekspozuar dhe pulla jone dhe per te eshte treguar nje interesim i vecante duke u vleresuar dhe nga revista dhe kataloge te ndryshem. 
Filatelistët e parë shqiptarë i përkasin periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Ndër ta do të veconim rilindasit Thimi Mitko, Sami Frashëri, Ndoc Xhuxha e Murat Toptani, më vonë Luigj Gurakuqin dhe sidomos  të mirënjohurin Lef Nosi,  Ministrin e parë të Postave të shtetit shqiptar, që ka merita të vecanta në konceptimin dhe emetimin e pullave të para shqiptare. Në nderim të tij filatelia shqiptare ka një emision me portretin e Lef Nosit.

Një zhvillim më të madh filatelia në Shqipëri mori në vitet midis dy luftrave botërore. Nga qëmtimi i dokumentacionit të kohës del se në këtë periudhë u celën dyqanet e parë për shitjen e pullave si në Shkodër, Korcë e Tiranë. Në shtypin e kohës ndesh raste të shumta reklamash për shitblerje pullash, ku ndër tregtarët më të spikatur mund të përmendim Zef Prenushin në Shkodër, i cili u shqua si tregtar dhe njohës i talentuar i pullave postare, si profesionist kompetent. Po kështu mund të përmendim edhe filatelistin e tregtarin shqiptar në Torino të Italisë, Aurel Ballamacin, që mbajti për 40 vjet me radhë një dyqan filatelik në qendër të këtij qyteti .
Natyrisht numri i filatelistëve në Shqipëri ka qënë e është i kufizuar dhe përpjekjet e tyre për të kontaktuar me kolegë në vende të ndryshme të botës përgjithësisht kanë qënë spontane . Kjo diktohej edhe nga mungesa e të ardhurave, rrjedhojë  e gjendjes ekonomike të vendit.

Niveli i organizimit të filatelistëve filloi të rritet vecanërisht pas clirimit të vendit. Më 1947, në Shkodër formohet Klubi Filatelik; dy vjet me vonë, pra në vitin 1949, në Korcë ngrihet Rrethi i Filatelisë; më 1959, në Tiranë formohet Shoqata e Filatelistëve . Organizime të tilla u bënë më vonë edhe në Vlorë, Pukë etj. Fryt i këtyre organizimeve janë edhe ekspozitat filatelike të celura në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Duke filluar nga viti 1991 ekziston Federata e Koleksionistëve Shqiptarë, e cila në vitin 1994 u pranua anëtare e FIP-it (Federata Nderkombëtare e Filatelisë me qendër në Zurih të Zvicrës) dhe e FEPA-s (Federata Evropiane e Shoqatave Filatelike me qendër në Hagë të Holandës).
Federata e Koleksionistëve Shqiptarë ka organin e saj të shtypit, revistën "Koleksionisti", numri i parë i së cilës u botua në vitin 1998 dhe vazhdon të botohet dhe në ditët e sotme.

Bashkëpunimi mes Federatës dhe Postës Shqiptare është i vazhdueshëm jo vetëm në Tiranë por dhe me shoqatat e rretheve si Fier, Shkodër dhe Korçë për të zhvilluar gjithnjë e më shumë aktivitetin e filatelisë e cila pasqyron pullën postare shqiptare.

 

Historiku i pullës|Emisionet e Pullave|Mënyrat e pagesës|Listat e çmimeve |
Copyright 2017 Posta Shqiptare

social

Na ndiqni në