8
8
POSTA SHQIPTARE MERR AUTORIZIM NGA AKEP 2018-02-28T15:54:51+00:00

Posta Shqiptare merr autorizimin nga AKEP

Do të ketë ekskluzivitetin e shërbimit universal postar në 5 vitet e ardhshme
Posta Shqiptare mori autorizimin e shërbimit universal postar nga AKEP. Posta do të ketë ekskluzivitetin e shërbimit universal postar në 5 vitet e ardhshme.

Ceremonia zyrtare e dorëzimit të Autorizimit Individual për Ofrimin e Shërbimit Universal Postar u zhvillua në ambientet e AKEP.

Ky autorizim lëshohet nga AKEP në zbatim të Nenit 64, pika 3, të Ligjit 46/2015, “Për Shërbimin Universal Postar në RSH”, sipas të cilit, Posta Shqiptare do të ketë të drejtën ekskluzive për një periudhë 5-vjeçare në ofrimin e shërbimit universal postar për qytetarët. Autorizimi aplikon kritere dhe kërkon standarde më rigoroze për shërbimin postar ndaj klientëve.

Autorizimi iu dorëzua drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare, z. Majlind Lazimi, nga z.Piro Xhixho, kryetar i Këshillit Drejtues të AKEP, në praninë e përfaqësuesve të Postës dhe AKEP-it.

Z. Lazimi u shpreh se ky autorizim e vendos Postën Shqiptare përpara një përgjegjësie akoma edhe më të madhe në ofrimin e shërbimeve postare kundrejt qytetarëve shqiptarë, duke u motivuar për një shërbim më cilësor.

Nga ana e tij, z. Xhixho tha se institucioni që ai drejton mbetet i gatshëm për bashkëpunime të tjera edhe në vazhdim, duke e cilësuar Postën Shqiptare si një kompani të rëndësishme publike.

Gjatë takimit, palët diskutuan edhe mbi situatën e tregut postar, çështjet që lidhen me aspektet rregullatore të shërbimit universal si edhe vizionin e Postës Shqiptare mbi të ardhmen e saj në tregun shqiptar.