8
8
Shërbimi Postar Universal 2018-04-12T16:12:05+00:00

Sipas ligjit ligjit Nr. 46. Datë 07/05/2015, “Për shërbimet Postare në Republikën e Shqipërisë”:
Çdo përdorues, në Republikën e Shqipërisë, gëzon të drejtën e shërbimit universal
postar, që përfshin ofrimin e vazhdueshëm të shërbimit postar me një cilësi të përcaktuar në
rregulloren e miratuar nga AKEP-i dhe me çmime të përballueshme në të gjitha pikat e
aksesit brenda territorit të tyre.

Në shërbimin postar universal përfshihen objektet postare si:

OBJEKTE TË THJESHTA

 1.Letrat

Konsiderohet letër çdo komunikim i shkruar që përbën një korrespondencë  zyrtare ose personale, e mbyllur në zarf, i cili ka formën e një drejtkëndëshi. Mbi zarf nga ana e përparme e tij, në të dhjathtë shkruhet adresa e marrësit, ndërsa në pjesën e përparme në të majtë shkruhet adresa e dërguesit. Adresa e marrësit dhe e dërguesit duhet të jetë e plotë dhe e saktë, e lexueshme, e shkruar me gërma kapitale romake dhe shifra arabe. Letrat pranohen me peshë deri në 2 kg si për brenda ashtu edhe për jashtë vendit.

2.Paketat e vogla

Quhen paketa të vogla, objektet që përmbajnë sende të ndryshme në sasi të vogël, prodhime artistike, disqe gramafoni, shirita manjetike, cigare, mostra tregtie, ose ndonjë send tjetër që shërben si mostër, pjesë këmbimi aparaturash etj.  Në këto paketa nuk lejohen të futen kartmonedha ose sende të tjera me vlerë. Duhet t’i kushtohet rëndësi ambalazhimit të paketës, i cili duhet të jetë i përshtatshëm për formën dhe përmbajtjen e saj. Pesha e paketës duhet të jetë deri në 2 kg si brenda ashtu edhe për jashtë vendit.

3.Kartë-postaret

Kartë – postaret mund të jenë të thjeshta, të cilat janë të përbëra prej kartoni të hollë ose prej letre të trashë 90x140mm dhe kartë postaret  me përgjigje të paguar, të cilat përbëhen nga dy kartë postare të thjeshta të palosura njëra mbi tjetrën, me ndryshim që ajo e poshtmja ka të shkruar mbishkrimin “Përgjigje Paguar”. Njëra anë e kartës postare të thjeshtë është e pastër, ku dërguesi mund të shkruajë korrespondencën, adresën e marrësit. Përsa i përket kartës postare me përgjigje të paguar, kjo e fundit i dorëzohet marrësit pa u shkëputur pjesët e saj.

 4.Cekogramet (objekte postare për të verbërit)

Cekogramet janë korrespondenca për të verbërit, të cilët sipas legjislacionit të fuqi për statusin e të verbërve,  Shoqata e të Verbërve në Shqipëri,  udhëzimit Nr. 4038 datë 04/09/2015 dhe rregullave të UPU-së,  përfitojnë shërbim postar falas.

Objektet postare për të verbërit përfshijnë:

-korrespondencën, literaturën për të verbërit dhe pjesërisht të verbërit të çfarëdo lloj formati (edhe regjitrimet me zë).

– pajisje apo materiale të çfarëdo lloji  të përshtatura për të ndihmuar personat e verbër dhe pjesërisht të verbër në lehtësimin e problemeve të shikimit.

Kufiri i peshës për këtë kategori objektesh, si për brenda ashtu dhe për jashtë vendit është 7 kg.

 

 5.Ftesat, komunikimet dhe lajmërimet gjyqësore

Ftesat, komunikimet dhe lajmërimet gjyqësore janë objekte, të cilat dërgohen nga institucionet e drejtësisë, në zarfe, ose të hapura dhe trajtohen si objekt i porositur.  Këto objekte përbëhen nga dy pjesë, pjesa e parë zë vendin e lajmërim marrjes dhe e dyta i dorëzohet marrësit.

6.Aerogramet

Aerogramet janë objekte të shtypura në një fije letre të hollë, por mjaft të qëndrueshme, e cila paloset në mënyrë të tillë që të formohet një drejtkëndësh në përmasat e një zarfi të zakonshëm. Pas palosjes në formën drejtkëndore në pjesën e sipërme ka të shënuar fjalën “AEROGRAM”,  si dhe një hapësirë boshe ku mund të shkruhen të dhënat e marrësit dhe të dërguesit.

7.Thasët Special “M”

Thasët special “M”, janë objekte të postës së letrave për brenda dhe jashtë vendit që përmbajnë gazeta, shkrime periodike, libra e materiale të tjera të ngjashme që dërgohen nga i njëjti dërgues për të njëjtin marrës, në të njëjtin destinacion. Këto paketa ambalazhohen në një thes të veçantë “M”, i cili trajtohet si një objekt i vetëm dhe kufiri maksimal i peshës së tij është deri në 30 kg.

 

OBJEKTE TË POROSITURA

Përfshihen të gjitha objektet postare si letër, lajmërim marrje paketa/koli, shtypshkrime, thasë “M”, fatura të energjisë elektrike, abonime të ndryshme etj, dhe quhen të porositura kur dërguesi kërkon që objekti të dorëzohet në destinacion kundrejt nënshkrimit të marrësit, si brenda ashtu dhe jashtë vendit.  Për shërbimin e porositur dërguesi duhet të paguajë tarifë shtesë të parashikuar në tarifat e shërbimit. Është e rëndësishme që adresa e dërguesit dhe e marrësit të shënohet e plotë, e saktë dhe e lexueshme.

 

OBJEKTE POSTARE ME VLERË TË DEKLARUAR

Objektet postare me vlerë  të deklaruar pranohen me kërkesën e dërguesit duke deklaruar vlerën e përmbajtjes së tij. Për shërbimin e brendshëm deklarimi bëhet në lekë, ndërsa për shërbimin ndërkombëtar deklarimi bëhet në SDR (vlerë e cila konvertohet nga punonjësja e zyrës). Objekti postar me vlerë të deklaruar ka në përmbajtje të tij dokumenta në vleftë (Banknota), kartë monedha dhe letra të tjera me vlerë. Kjo vlerë duhet të deklarohet nga dërguesi dhe duhet të jetë reale, siç është në përmbajtje dhe duhet të shënohet mbi objekt. Është shumë e rëndësishme që objekti të ambalazhohet në mënyrën e duhur dhe me materialin e duhur, që të mos shkaktojë dëmtim të saj. Gjithashtu, të dhënat e dërguesit dhe të marrësit duhet të jenë të plota dhe të sakta.

OBJEKTET  “POSTË RESTANTE” OSE “MBAHET NË POSTË”

Objektet për këtë lloj shërbimi të veçantë duhet të kenë të shënuar në pjesën e sipërme me gërma kapitale “QËNDRON NË POSTË” ose “POSTË RESTANTE”. Ky shënim vihet poshtë emrit dhe mbiemrit të marrësit dhe zëvendëson adresën e tij. Objektet me këtë shënim “QËNDRON NË POSTË” mbahen në zyrën postare të mbërritjes për një afat prej një muaji nga data e mbërritjes, kohë gjatë së cilës objekti duhet të tërhiqet nga vetë marrësi, pas verifikimit të identitetit të tij. Nëse marrësi nuk e tërheq objektin brenda këtij afati, objekti rikthehet tek dërguesi.