Home > Media > Blog

Misionarja e Postës Shqiptare që prej 20 vitesh mban gjallë letërkëmbimet e kryeqytetit

Nëse punën e postierit e keni menduar gjithnjë pas kostumit të një burri, atëherë jeni krejtësisht gabim.

Këtë profesion të vyer të përcjelljes së letërkëmbimeve mund ta bëjnë mjaft mirë të dyja gjinitë.

Dhe shembull ideal për këtë është Ardiana, misionarja e Postës Shqiptare që prej 20 vitesh është në shërbim të kryeqytetit.

Portretin e saj fisnik mund ta shihni çdo ditë në rrugët e Tiranës, mund ta gjeni nëpër lagje duke çarë rrugicat apo mund ta hasni në dyer shtëpish duke trokitur me zarfe apo objekte postare në duar.

Ka qenë 34-vjeçe kur ju bashkua këtij misioni dhe qysh prej atëherë të pakta kanë qenë ditët kur ajo ka pushuar.

Edhe pse shërbesën e saj me përkushtim, seriozitet dhe përulësi e kanë çmuar mjaft banorë, Ardiana sërish është modeste në rrëfimin e saj.

“Profesioni i postieres është i lodhshëm, por edhe i bukur. Puna në terren ka edhe vështirësitë e saj, sepse ka të bëjë me të ftohtin, shiun, vapën, por prapë mbetet e bukur”, shprehet Ardjana.

Si një nënë e re me tre fëmijë, për Ardjanën nuk ka qenë fort e lehtë gjetja e balancës midis orëve të punës dhe përkushtimit ndaj familjes.

“Ashtu si çdo grua dhe nënë njëkohësisht, jam gjatë gjithë kohës duke vrapuar. Duke iu përkushtuar në maksimum punës dhe duke i qëndruar pranë edhe familjes dhe fëmijëve. Kur puna bëhet me pasion, arrihet të gjendet ekuilibri.”

Postieri është pjesë e familjes, sepse merr pjesë edhe në gëzimet e tyre, duke iu dhënë shpeshherë edhe lajme të mira.

“Një moment që më është skalitur në mendje është kur dorëzova pranë një familje dy bursa studimi të fëmijëve, të cilët kishin aplikuar me anë të internetit. Prindërit nuk ishin në dijeni të aplikimit që kishin bërë fëmijët dhe nuk mund ta imagjinoni gëzimin e tyre në momentin që iu dorëzova zarfin”, tregon Ardiana ku në sy i dallohet qartazi emocioni.

Në fillimet e punës së saj, Ardiana ka hasur disa vështirësi në përmbushjen e misionit të saj për t’ju shërbyer qytetarëve, pasi në Shqipëri ka pasur problematika në lidhje me adresat e banesave.

“Në fillimet e mia, kam skicuar në një letër të gjithë zonën që unë mbuloja, duke krijuar një hartë, e cila filloi të më ndihmonte në orientimin dhe gjetjen e adresës ku unë duhej të dorëzoja objektin”, thotë ajo teksa tregon se kohë pas kohe, ajo hartë u mbyll dhe nuk u hap më kurrë, pasi skicoi në memorie rrugët dhe adresa.

Shembulli i Ardianës është një nga ato që shpesh si shoqëri harrojmë që ekzistojnë.  Portrete të tilla gjenden mes nesh si një burim frymëzimi për kurajo, vullnet dhe ndershmëri pune.

Të dhënat për kodin

Mbyll dritaren X