Home > Media > Blog

Posta Shqiptare, në çdo kohë bashkë!

Kur përmend Postën Shqiptare, shpesh herë me të drejtë të vijnë ndërmend letra, kartolina, pako dhe pensione. Por misioni i këtij aseti të çmuar kombëtar, shkon përtej punës së përditshme.

Zhvillimi i një avantazhi të qëndrueshëm konkurrues është një sfidë kryesore në agjendat e lidershipit të sotëm global dhe lokal.

Kësisoj Posta Shqiptare do të përqendrohet në investime të qëndrueshme, zhvillimin e kontrolleve, standardeve, raportimeve që fokusohen në zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë duke ndihmuar komunitetin dhe duke zhvilluar potencialisht biznesin e tyre.

E këtu misioni shkon përtej asaj që hasim në zyrat postare çdo ditë.

Kjo qasje synon promovimin e një integrimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, brenda një vizioni të përgjithshëm të një shoqërie, ku ndërlidhen faktorë të qëndrueshëm politik, ekonomik, mjedisor dhe social.

Vendet kandidate të BE-së si Shqipëria nxiten të inkurajojnë ndërmarrjet e biznesit të zhvillojnë dhe forcojnë angazhimet e tyre për përgjegjësinë shoqërore të korporatave. Ndaj Posta Shqiptare ka investuar dhe do të vazhdojë akoma më tej të investojë kapacitetet e saj në drejtim të këtij angazhimi, si një institucion që përqafon standardet dhe modelet më të zhvilluara ndërkombëtare në këtë drejtim.

Nëse gjithnjë kemi menduar për zarfet e letrave, duhet të kujtojmë se Posta Shqiptare ka shpërndarë here pas here edhe “zarfe” humanizmi të përkthyera në punë vullnetare, por edhe mbështetje për kauza sociale, mjedisore, sportive apo kulturore.

Veç tyre, ne duhet t’i njohim “Postës Shqiptare” edhe një meritë të madhe ku me kontributin e saj u bë shembull solidariteti pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.

Në ato ditë të vështira por edhe muajt që pasuan, posta dëshmoi rolin e saj strategjik duke rikthyer vëmendjen e qytetarëve, biznesit dhe institucioneve për rëndësinë e saj strategjike në një moment kritik për vendin.

Ishte flota gjigande e automjeteve dhe postierëve që menjëherë pas lëkundjeve sizmike ofruan kapacitet e tyre të shpërndarjes për dërgimin e ndihmave për qytetarët në nevojë.

Ndërsa pa marrë ende veten nga kjo fatkeqësi kombëtare, u përballën me një tjetër sfidë globale, gjatë periudhës së mbylljes si pasojë e pandemisë ku tregu postar vuajti shumë.

Por ajo nuk e ndali punën, përmes shtrirjes dhe kapaciteteve të saj distribuese, në një hark kohor prej vetëm 3-4 muaj postierët arritën të shpërndanin rreth 1.5 milionë pensione në banesa me kosto zero, kjo që të mos rrezikohej asnjë e moshuar dhe i moshuar.

Vitet e fundit Mbrotja e Mjedisit është shndërruar në një ndër kauzat më të ndjeshme, ku aktorë të ndryshëm të shoqërisë si kompani, operatorë postarë financiarë, organizata, ente publike etj, kanë zhvendosur vëmendjen në gjetjen e mënyrave alternative dhe përdorimin e teknologjisë  për reduktimin e ndotjes së mjedisit.

Posta Shqiptare së fundmi ka lançuar projektin “Go Green” (Shko Gjelbër), fryt i zbatimit me sukses i bashkëpunimeve ndërkombëtare me Unionin e Përbotshëm Postar, duke mundësuar shtimin e armatës postare me një flotë prej 12 automjetesh ekologjik 100 % elektrik, si dhe nga bashkëpunimi me One Telecommunications flotës shpërndarëse të Postës Shqiptare i shtohen  dhe 20 motorrë me efiçencë të lartë motorrike, çka ndikon drejtpërdrejt në minimizimin e ndotjes së mjedisit.

Ndaj për ata që e shohin Postën Shqiptare, zyrat e saj, sportelistin, postierin, shpërndarësin, si pjesë të një zinxhiri ingranazhesh të ndryshkur të një “dinozauri” shekullor që mezi lëviz, gabojnë.

Është kjo punë e padukshme, e gjithë kësaj armate prej 2.500 njerëzish që punojnë çdo ditë, vizioni strategjik i shoqërisë dhe sfidat e çdo dite për të kryer shërbimin deri në fund, që e çojnë përpara këtë institucion, duke i dhënë atij statusin e luanit të tregut postar dhe financiar, jo bankar.

Një gjigand që mundëson shpërndarjen e mbi 24 milionë objekteve postare dhe të mbi 19 milionë transaksioneve financiare e bankare në vit për qytetarët, biznesin dhe institucionet shtetërore.

Për këto dhe të tjera, kjo është Posta Shqiptare, prej më shumë se 109 vitesh në shërbimin e qytetarëve– shpejt, sigurt dhe kudo.

Dhe përtej misionit të përditshëm është edhe një zarf humanizmi në adresë të nevojtarëve në çdo kohë.

Të dhënat për kodin

Mbyll dritaren X