Posta Shqiptare dhe Credins Bank nënshkruajnë marrëveshje të re bashkëpunimi
Posta Shqiptare dhe Credins Bank nënshkruajnë marrëveshje të re bashkëpunimi
Posta Shqiptare dhe Credins Bank kanë formalizuar një marrëveshje të re bashkëpunimi, e cila synon forcimin e partneritetit mes dy institucioneve dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e shërbimeve financiare.
Marrëveshja u nënshkrua nga Administratori i Postës Shqiptare, z. Etjen Xhafaj, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Credins Bank, z. Maltin Korkuti.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së eficiencës ekonomike dhe forcimit të qëndrueshmërisë financiare të Postës Shqiptare. Në të njëjtën kohë, ai synon zgjerimin e mundësive për zhvillimin e shërbimeve, rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e ofertës për klientët.
Në fokus të kësaj marrëveshjeje mbetet krijimi i më shumë lehtësive për qytetarët dhe bizneset, përmes zgjerimit të aksesit në shërbimet financiare dhe shfrytëzimit të potencialit të të dy institucioneve në të gjithë vendin.
Posta Shqiptare vijon të angazhohet në ndërtimin e partneriteteve strategjike, me synimin për të forcuar kapacitetet e saj dhe për të ofruar shërbime gjithnjë e më të mira në funksion të qytetarëve dhe bizneseve.



