Posta Shqiptare sh.a fiton vendin e dytë në garën ballkanike të postierëve
Një ekip i postierëve të Postës së Shqipërisë ka marrë pjesë në garën e 43-të ballkanike “Ecja e shpejtë” që është mbajtur në Turqi me datën 10 tetor 2014.
Në këtë garë, Delegacioni i Postës Shqiptare, ka fituar çmimin e dytë. Kjo është një garë sportive që organizohet çdo vit mes kompanive publike postare të shteteve të Ballkanit.
Kjo ngjarje sportive ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe miqësisë mes kompanive postare të rajonit. Në këtë garë, udhëheqës të kompanive postare kanë biseduar për sfidat me të cilat përballet shërbimi postar në shtetet e Ballkanit, në kohën e zhvillimit të hovshëm teknologjik të komunikimit.
Delegacioni i Postës Shqiptare, i përfaqësuar nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm z.Entel Agolli zhvilloi takime me homologët dhe zyrtarë të tjerë të ndërmarrjeve postare të shteteve të rajonit.
Në garën “Ecja e shpejtë” kanë marrë pjesë shtatë shtete: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Rumania dhe Turqia si mikpritëse dhe organizatore e garës.
Ekipi nga Turqia ka fituar vendin e parë, ndërkaq ekipi nga Posta e Kosovës vendin e tretë.