8
8
Historiku i pullës 2018-03-05T10:15:33+00:00

Pulla postare është një simbol i historisë, traditës dhe zhvillimit të një vendi.

Me emëtimin e pullës së parë postare shqiptare u konsolidua dhe shërbimi postar me indentitet shqiptar, e cila ka qënë kurdoherë pjesë shprehëse e identitetit tonë kombëtar. Vetë udha e gjatë dhe e bukur e pullës është një pasuri e vyer e jona. Si pasqyrë adekuate e historisë së popullit shqiptar, ajo ka patur përherë fytyrën e saj të papërsëritshme, portretin e vet autentik. Ky portret filloi të skicohej menjëherë pas aktit madhor – Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912. Fillimisht, me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, për vetë rrethanat në të cilat ndodhej administrata e Qeverisë së Ismail Qemalit, vazhduan të ekzistojnë postat osmane. Madje ishin po ata nëpunës, që deri në maj 1913, përdorën vulat dhe pullat turke.

Gjërat hynë në normalitet duke filluar nga 5 maji i vitit 1913, kur u emetua dhe u vu në qarkullim pulla e parë kombëtare shqiptare. Qeveria e Ismail Qemalit, duke patur në përbërje të saj si Ministër të Postave intelektualin e njohur Lef Nosi, i kushtoi vëmendje të veçantë veprimtarisë postare përgjithësisht dhe emetimit të pullave posaçërisht. Vetëm në pak muaj të ekzistencës së saj, më 7 korrik 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës bëri kërkesë për antarësim në Bashkimin Postar të Përbotshëm, realizimi i së cilës zgjati më shumë se tetë vjet. Pikërisht në tetor të vitit 1922 Shqipëria u bë anëtare e UPU-së.

Po kështu, nisur nga nevojat tejet të mëdha për pulla postare në fillimet e shtetit shqiptar, Ministria e Postave bëri zgjidhje shumë efektive e praktike. Brenda një periudhe tetëmujore, mars-dhjetor 1913, u emetuan gjashtë emisione pullash.

Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua afro gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, siç janë pullat aktualisht, por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfa. Kjo pullë-vulë në zarfa me ngjyra të ndryshme kushtonte 1 grosh dhe u nxorr në shitje në 11 qytete ku funksiononin zyrat postare të ngritura gjatë pushtimit osman. Ajo u vu në qarkullim më 5 maj 1913. Karakteristikë ishte edhe prerja e vulës nga zarfet origjinale dhe vendosja e qarkullimi mbi zarfe të tjerë, praktikë e njohur dhe e përligjur nga Ministria e Postave.

I ngjashëm me të parin është edhe emisioni i dytë, ndonëse disi më i përsosur. Përsëri kemi të bëjmë me një pullë-vulë të vetme, me formë të rrumbullakët, me dy rrathë koncentrikë brenda të cilëve është shkruar: “Postat e Qeverries së Përkohëshme të Shqipënies”. Çmimi i saj nuk shkruhet në pullë, por dihet që ka qenë gjithashtu 1 grosh. Ky emision qarkulloi në periudhën maj-nëntor 1913. Përveç se e shtypur mbi zarf (2442 copë), kjo pullë u shtyp edhe në fletë të bardha (800 copë). Ajo qarkulloi e prerë me makinë qepëse dhe e ngjitur rishtas mbi zarf. Vula e dytë në disa raste u falsifikua nga spekulantë të ndryshëm.

Tejet interesant, madje si një nga më të larmishmit në historinë e filatelisë sonë është emisioni i tretë. Jo rastësisht ai është ndër më të kërkuarit nga filatelistët. Ky emision u përdor në zyrat e postës nga 16 qershori deri më 20 tetor 1913. Për të Posta Shqiptare shfrytëzoi një sasi të konsiderueshme pullash të administratës pushtuese osmane të viteve 1909-1910 (gjithsej 39800 pulla), të cilat kishin mbetur pa u përdorur. Mbi to, nëpërmjet një vule dore prej bakri, u vendos mbishtypja: një shqiponjë dykrerëshe dhe nën të fjala “Shqipënia”. Vlerat e tyre variojnë nga 2 para deri në 50 piastra, kurse tirazhet nga 16 copë (50 piastër) deri në 11607 copë (tirazhi më i lartë i vlerës 20 para).

Veç tirazhit shumë të ulët, sidomos për disa nga vlerat, rrallësia e këtyre pullave lidhet edhe me ngjyrat e ndryshme të mbishtypjes: e zeza (ngjyrë dominuese), e kaltërta, e kuqja, tulla dhe vjollca. Ky emision, i pari i gomuar, për vetë kushtet e kohës kur u vu në qarkullim, ka edhe mjaft gabime, sidomos rastet e mbishtypjes mbapsht, të cilat kërkohen shumë nga filatelistë të vendit e të huaj.

Si në të gjitha shtetet e tjera edhe në Shqipëri filatelia ka qënë pjesë e kulturës dhe e lidhur ngushtësisht me historinë. Këtë e dëshmon më së miri edhe periudha midis dy luftrave botërore. Kjo periudhë pasqyrohet në filateli me veçoritë e saj specifike. Ndër to mund të përmendim p.sh., numrin e paktë të emisioneve të emetuara në vitet 1914-1919, pra gjatë Luftës së Parë Botërore. Ato kanë qenë kryesisht emisione pullash lokale si në Shkodër, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Himarë, Elbasan etj. Larmi emisionesh emetuan edhe fuqitë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore që pushtuan Shqipërinë. Këto emisione qarkulluan së bashku me vulat datare që mbajnë shkrime në gjuhët e këtyre fuqive pushtuese.

Jo rastësisht, por nisur nga kuriozitetet e shumta, po veçojmë nga kjo periudhë historinë postare dhe emetimin e pullave nga Qeveria e Përkohshme e Durrësit, e kryesuar nga Esat Pashë Toptani.

Pas largimit të Princ Vidit, duke filluar nga 2 tetori 1914, Esat Pasha formoi Qeverinë e Përkohshme të Durrësit. Në këtë kohë zyrat postare ishin të mbyllura, shërbimin postar e kryenin postat e Levantit austriak dhe atij italian. Kjo situatë e detyroi Esat Pashën që më 9 janar 1915 të hapë zyrat postare në Durrës, Elbasan, Shijak, Lezhë, Kavajë. Fillimisht u përdorën pullat me portretin e Skënderbeut, me vlefta në qindar dhe në para e grosh, të cilat u gjetën në postën e Durrësit. Ato u mbishtypën me myhyrin e Esat Pashës. Emisioni përbëhet nga 9 vlefta si pulla postare, 5 vlefta si pulla taksë, me një mbishtypje “T” dhe dy kartëpostare të thjeshta 5 dhe 10 para.

Sigurisht kjo sasi pullash nuk i plotësonte kërkesat për një kohë të gjatë. Prandaj Qeveria e Esat Pashës vendosi të vinte në qarkullim dy emisionet “Tarabosh”, të porositur qysh në vitin 1913 nga Pleqësia e Shqipërisë së Mesme. Ishin gjithësej 12 vlefta, nga të cilat 7 të formatit 27×30 mm dhe 5 të formatit 27×34 mm. Këto pulla, që gjithashtu kanë si mbishtypje një myhyr të rrumbullakët me gërma arabe, u përdorën, duke filluar nga 10 shkurti 1915 në Shqipërinë e Mesme, madje edhe në Berat e Skrapar.

Pas këtyre emisioneve, do të duhej të vinte viti 1919 që të dilnin në dritë disa emisione të tjera interesante: Zarfi me “Zyra e Financavet n’Elbasan”, me tirazh 500 kopje, që u vu në qarkullim gjatë muajit janar 1919, emisionet lokale të Shkodrës me mbishtypje të pullave fiskale të administratës austro-hungareze, që ishin gjendje në zyrat e financës në Shkodër, si dhe pulla 1 grosh e emisionit të vitit 1919 me mbishtypjen “SHKODER 1919” në formë ovale.
Në periudhën që vijon ka vite të tëra si ato 1921, 1926, 1932, 1935, 1936, kur nuk u emetua asnjë emision. Gjithashtu, krahas numrit të paktë të emisioneve, karakteristikë është edhe ngushtësia tematike. Zotëruese mbetet tema politike. Në vijim të një tradite edhe të vendeve të tjera, në pulla filloi të dukej përherë e më shumë portreti i mbretit, Ahmet Zogut, (në periudhën deri në 1939 shumica e pullave janë me fytyrën e tij), ndërsa gjatë pushtimit italian spikat shpesh fytyra e Viktor Emanuelit III. Me interes të veçantë dhe që e kapërcenin disi këtë ngushtësi tematike, ishin pullat ajrore. Duke patur të fiksuar figurën e avionit, ato tregonin se i shërbenin postës ajrore, çka përligjte edhe tarifën e lartë që kishin.

Pra filatelia shqiptare e periudhës 1913-1944, siç e theksuam edhe më sipër, është mjaft interesante. Këtu mund të përmenden jo pak emisione që janë bërë tejet të rrallë: zarfat me vulë ari të pullave me fytyrën e Skënderbeut, zarfi me vulën e Zyrës së Financave të Elbasanit, zarfi me vulën e Tepelenës, zarfi me vulën e Beratit, emisioni gotik me mbishtypjen “Mbr . Shqiptare”, pullat e Komisionit të Kontrollit Provizor të Korçës, emisioni i 19 marsit 1915 kushtuar ngritjes së flamurit në fortesën e Shkodrës, ato të pushtimit grek, italian dhe gjerman, sidomos emisioni i 14 shtatorit 1943, që spikat veçanërisht për shumëllojshmërinë e gabimeve etj.

Emisioni i “14 shtatorit 1943” përkon me datën e mbajtjes së mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese, që përligji shtetin kuisling shqiptar. Seria përbëhet nga 14 pulla të viteve 1939-1940, nga të cilat 13 vlefta ordinere dhe 1 ekspres, të mbishtypura me “14 shtator 1943”. Ajo u vu në qarkullim më 18 shtator 1943 në postën e Tiranës, por pa kaluar dy ditë u urdhërua bllokimi i saj, pasi ishin konstatuar rreth 23 gabime në mbishtypje në 153 vlefta. Si e tillë është pranuar data 23 tetor 1943, e miratuar kjo edhe nga UPU-ja, që është njëherësh edhe dita kur në sportelin e postës së Tiranës emisioni ridoli në shitje.

Në qytetet e tjera të Shqipërisë ky emision u vu në qarkullim gjatë muajit nëntor 1943, gjë që dëshmohet edhe nga zarfat që filatelistë të ndryshëm kanë në koleksionet e tyre.

Një tablo tërheqëse paraqet për filatelinë edhe periudha pas çlirimit të Shqipërisë dhe deri në vitet 90 të shekullit XX. Ajo shquhet sidomos për bollëk emisionesh (mesatarisht 10 emisione në vit), për tematikë më të larmishme se më parë, për një raport deri diku të drejtë midis tematikës kombëtare e asaj të huaj, për pamje të shumta në çdo emision etj. Përgjithësisht pullat janë të politizuara e të ideologjizuara. Ka emisione të përsëritur çdo pesë vjet për ngjarje të caktuara përkujtimore historike, siç ka dhe tirazhe shumë të mëdha. Një sy i vëmendshëm nuk e ka të vështirë të dallojë se në këtë periudhë është pasuruar tematika me emisione nga flora dhe fauna, nga sporti, nga arti (pulla me pamje veprash arti në pikturë e skulpturë), nga arkeologjia etj. Por gjithashtu është fakt se ka fare pak Zarfa FDC dhe Kartëpostale zyrtare.

Pas mbishtypjeve të bëra në fund të vitit 1944 dhe në fillim e në vazhdim të vitit 1945, më 28 nëntor 1945 administrata e Postës hodhi në qarkullim një emision me tri pamje e gjashtë vlefta, me ngjyra të ndryshme me mbishkrimin “Qeveria Demokratike e Shqipërisë”. Më vonë këtij emisioni iu bënë katër mbishtypje radhazi. Mbishtypja e parë mban datën 10 janar 1946, e dyta 1 korrik 1946, e treta 26 korrik 1946 dhe e katërta 22 shkurt 1948. Këto emisione do të pasoheshin nga mjaft të tjerë që do t’i kushtoheshin ngjarjeve të caktuara të historisë së popullit tonë apo përvjetorëve të figurave të shquara, ndërtimit të hekurudhave të para, fluturimeve në kozmos, lojërave olimpike etj.

Deri në vitin 1957 pullat shtypeshin jashtë Shqipërisë. Pas këtij viti ato u shtypën në shtypshkronjat tona. Eshtë rasti këtu të kujtojmë me respekt dhe t’u shprehim mirënjohjen tipografëve të parë të pullave shqiptare të specializuar në Gjermani, Sadik Dinga dhe Sulejman Maci.

Në dhjetëvjeçarin e fundit, duke filluar pas vitit 1990, pra me proceset demokratike, krahas oshilacioneve të kuptueshme të viteve të para të tranzicionit ‘91, ‘92, ‘93, janë bërë përpjekje serioze nga Komisioni Shtetëror i Pullës dhe Drejtoria e Postës Shqiptare për mënjanimin e politizimit të pullave, cilësia e botimit të tyre është më e mirë, pasi janë shtypur në Zvicër e Greqi. Po ashtu, përgjithësisht janë mbajtur tregues optimalë për tirazhet e pullave, nisur nga nevojat e afrankimit dhe të koleksionimit të tyre. Karakteristikë e kësaj periudhe është edhe fakti se thuajse çdo emision i emetuar shoqërohet me Zarfin FDC, të vulosur me vulë speciale. Kjo ka bërë që tek filatelistët, vendas e të huaj, të rritet interesi për koleksionimin e këtyre zarfeve.

Aktualisht katalogu i pullave postare shqiptare numëron mbi 3640 pamje të ndryshme pullash. Me shume kujdes është patur parasysh që temat kombëtare të zënë vendin më të madh në emetimin e emisioneve të reja Shqiptare. Vlen të përmendet paraqitja me dinjitoze e saj si nga ana cilësore, kompozicionale dhe futja e elementeve të reja filatelike siç janë karnetet me një dhe dy seri, zarfa të ditës së parë me skica grafike, foldera të madhësive të ndryshme,albume vjetore filatelike etj.

Një element i ri është ideimi dhe prodhimi i liberthit filatelik për emisioni “Emblemat Shqiptare”, e cila përmban katër seri pullash me sqarimet përkatëse për çdo emblemë të paraqitur. Përmirësime të dukshme ka patur dhe mënyra e kompozimit në forma të reja më të paraqitshme dhe praktike të emisioneve të pullave Shqiptare.

Emisionet janë paraqitur në tabakë me nga 8,9,10,12,16,20 dhe 25 pulla në një tabak. Shumë emisione janë të kompozuara mjaft bukur në formë blloku ku në të paraqiten të gjitha pamjet e një emisioni si p.sh. cikli i emisioneve të “Kostumeve Kombëtare”, “Urat e vjetra Shqiptare”, ”Arti Shkëmbor në Shqipëri”, “Berati, qytet-muze i mbrojtur nga UNESCO si dhe ambjente të brendshme të shtëpive karakteristike siç është emisioni “ Tymtare Shqiptare”.
Në këtë kuadër është dhe cikli i emisioneve për fëmijë me figurat më të njohura në filmat me kartona.

Figurat e shquara kombëtare kanë zënë një vend të rëndësishëm duke përkujtuar atdhetarë, shkrimtarë, klerikë, politikanë, artistë, sportistë, etj. Emisionet “Flora” dhe “Fauna” e vendit tonë janë të pranishme në tematikat e viteve të fundit dhe janë paraqitur mjaft bukur nga piktorët tanë. I njëjti përkushtim është treguar dhe për evenimentet, aktivitetet dhe figurat e shquara ndërkombëtare ku një vend të rëndësishëm zë cikli i emisionit “Europa”.

Tematika e këtij emisioni është e orientuar nga administrata e PostEuropës. Mjaft interesantë janë emisionet e figurave të shquara botërore duke filluar që nga figurat politike, shkencëtare, shkrimtare, muzikante, piktore, etj.

Është treguar kujdes që të paraqiten evenimentet kryesore botërore siç është emisioni për OKB-në, Këshillin e Europës, NATO,UNICEF-in, UNHCR-në, etj.

Aktivitetet sportive botërore janë pjesë e emisioneve tona si : Kampionate Europiane, Botërore etj. Përmirësimi i paraqitjes nga ana kompozicionale e pullave është rezultat i punës së një stafi të rinj piktorësh që marrin pjesë krahas piktorëve më në zë në realizimin e bocetave të pullave.

Me rëndësi të veçantë është dhe rikthimi i prodhimit të pullës postare shqiptare në Shqipëri që nga viti 2007 me standarte dhe cilësi shumë të mirë.Gjatë këtyre viteve janë emetuar disa emisione të rëndësishme për kombin tonë siç është emisioni dedikuar vizitës së presidentit amerikan Xhorxh Ë. Bush më 10 qershor 2007, emsioni “Shqipëria në NATO, 3 prill 2008” me rastin e ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në Nato, emisioni “Pa viza në Europë” me rastin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Me shumë vlerë historike dhe bashkëpunimi është emisioni i përbashkët Shqipëri-Kosovë- Maqedoni dedikuar 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Gjatë këtyre viteve ka pasur një zhvillim të mëtejshëm të teknologjisë për prodhimin e pullës dhe rritjen e kualitetit të saj.

Në vitin 2012 u emetuan shumë emisione të rëndësishme, siç ishin “ 100-vjet pavarësi (Logo)”, “100-vjetori i shpalljes së pavarësisë”, 100-vjetori i ushtrisë shqiptare”, 100-vjetori i Post-Telegraf-Telefonave” këto pulla janë gurët e 100 kilometrik i historisë së kombit tonë. GJithashtu në kuadrin e bashkëpunimit u realizua një karnet i përbashkët Shqipëri- Kosovë-Maqedoni me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Në kuadër të festimeve të 100- vjetorit të pavarësisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe në bashkëpunim me Postën Shqiptare organizuan ekspozitën me pullat postare.

Kjo ekspozitë u organizua në ambientet e ambasadës me një pjesëmarrje të gjerë ku pati një interes të jashtëzakonshëm nga përfaqësues të trupave diplomatikë, historianë, studiues akademikë britanikë dhe filatelistë, koleksionistë përfaqësues të Anglo-Albanian Assocation më e vjetra shoqatë në Britaninë e Madhe si dhe miq dhe të ftuar shqiptaro-britanikë.

Fjala përshëndetëse u mbajt nga i ngarkuari me punë i Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe z.Mal Berisha.

Nga të pranishmit u ndoqën me interes pullat e përvjetorit të parë të pavarësisë, përvjetoret e Lidhjes shqiptare të prizrenit, 800 vjetori i shtetit të Arbërit, emisionet për Nënë Terezën, për Lady Dajanën, kostumet kombëtare shqiptare emblemat apo përvjetore të ndryshme.

Ekspozita qëndroi e hapur deri në ditët e para të dhjetorit 2012 dhe u vizitua nga shumë akademikë, koleksionistë, filatelistë, miq dhe dashamirës të pullës postare shqiptare.

Në 5 maj 2013 pulla postare shqiptare mbushi plot 100-vjet, një rrugtim i gjatë që nga momentet e para të emetimit të pullës së parë postare shqiptare.

Me këtë rast u emetua emisioni “100-vjetori i pullës së parë postare shqiptare” i cili është i përbërë nga 1 seri me 2 pamje, Zarfin e ditës së parë dhe Karnetin. Gjithashtu u hap një ekspozitë e përbashkët me Shoqatën e Koleksionistëve të Shqipërisë ku Posta Shqiptare pasqyroi rrugëtimin e pullës postare shqiptare në 100 vite dhe koleksionistët pasqyruan koleksionet e tyre me tematika të veçanta si Posta ajrore, Kartmaximumet, FDC e udhëtuara, etj. Ekspozita u hapën gjithashtu në Fier, Shkodër dhe Korçë ku janë dhe qëndrat kryesore të filatelisë shqiptare në rrethe.

Nëpërmjet pullës postare shqiptare, e cila përbën filatelinë, Posta Shqiptare ka marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare filatelike ku është ekspozuar pulla jonë dhe për të është treguar një interesim i veçantë duke u vlerësuar dhe nga revista dhe katalogë të ndryshëm.

Filatelistët e parë shqiptarë i përkasin periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Ndër ta do të veçonim rilindasit Thimi Mitko, Sami Frashëri, Ndoc Xhuxha e Murat Toptani, më vonë Luigj Gurakuqin dhe sidomos të mirënjohurin Lef Nosi, Ministrin e parë të Postave të shtetit shqiptar, që ka merita të veçanta në konceptimin dhe emetimin e pullave të para shqiptare. Në nderim të tij filatelia shqiptare ka një emision me portretin e Lef Nosit.

Një zhvillim më të madh filatelia në Shqipëri mori në vitet midis dy luftrave botërore. Nga qëmtimi i dokumentacionit të kohës del se në këtë periudhë u çelën dyqanet e parë për shitjen e pullave si në Shkodër, Korçë e Tiranë. Në shtypin e kohës ndeshen raste të shumta reklamash për shitblerje pullash, ku ndër tregtarët më të spikatur mund të përmendim Zef Prendushin në Shkodër, i cili u shqua si tregtar dhe njohës i talentuar i pullave postare, si profesionist kompetent. Po kështu mund të përmendim edhe filatelistin e tregtarin shqiptar në Torino të Italisë, Aurel Ballamacin, që mbajti për 40 vjet me radhë një dyqan filatelik në qendër të këtij qyteti.

Natyrisht, numri i filatelistëve në Shqipëri ka qenë dhe është i kufizuar dhe përpjekjet e tyre për të kontaktuar me kolegë në vende të ndryshme të botës përgjithësisht kanë qënë spontane. Kjo diktohej edhe nga mungesa e të ardhurave, rrjedhojë e gjendjes ekonomike të vendit.

Niveli i organizimit të filatelistëve filloi të rritet veçanërisht pas çlirimit të vendit. Më 1947, në Shkodër formohet Klubi Filatelik, dy vjet me vonë, pra në vitin 1949, në Korçë ngrihet Rrethi i Filatelisë dhe më 1959, në Tiranë formohet Shoqata e Filatelistëve . Organizime të tilla u bënë më vonë edhe në Vlorë, Pukë etj. Fryt i këtyre organizimeve janë edhe ekspozitat filatelike të çelura në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Duke filluar nga viti 1991 ekziston Federata e Koleksionistëve Shqiptarë, e cila në vitin 1994 u pranua anëtare e FIP-it (Federata Ndërkombëtare e Filatelisë me qendër në Zurih të Zvicrës) dhe e FEPA-s (Federata Evropiane e Shoqatave Filatelike me qendër në Hagë të Holandës).
Federata e Koleksionistëve Shqiptarë ka organin e saj të shtypit, revistën “Koleksionisti”, numri i parë i së cilës u botua në vitin 1998 dhe vazhdon të botohet dhe në ditët e sotme.

Bashkëpunimi mes Federatës dhe Postës Shqiptare është i vazhdueshëm jo vetëm në Tiranë, por dhe me shoqatat e rretheve si Fier, Shkodër dhe Korçë për të zhvilluar gjithnjë e më shumë aktivitetin e filatelisë e cila pasqyron pullën postare shqiptare.