Posta Shqiptare saktëson dhe sqaron publikun për lajmin mbi grabitjen e Zyrës Postare të atashuar në ambientet e Hipotekës
Posta Shqiptare sh.a saktëson dhe sqaron publikun për lajmin mbi grabitjen e Zyrës Postare të atashuar në ambientet e Hipotekës.
Posta Shqiptare sh.a, u njoh me lajmin e publikuar në disa media, në të cilin pretendohej “Grabitja e Zyrës Postare, të atashuar në ambientet e Hipotekës, Tiranë”, për të cilin sqarojmë dhe saktësojmë:
Posta Shqiptare sh.a u informua në lidhje me një grabitje që ka ndodhur në një Bankë të Nivelit të Dytë, në ambientet e sporteleve të zyrave të pritjes të Hipotekës, Tiranë.
Sipas informacioneve të marra nga organet kompetente, Sigurimi Postar dhe Policia e Shtetit, fatmirësisht rezulton se nuk ka patur dëmtime fizike në njerëz, dhe saktëson se kjo grabitje nuk ka ndodhur në Zyrën e Shërbimit Postar që operon në ambientet e brendshme të Hipotekës.
Duke shprehur keqardhje për këtë ngjarje, Posta Shqiptare dëshiron të informojë dhe të sigurojë të gjithë qytetarët që shërbimi nëpër sportelet e Postës Shqiptare vazhdon normalisht, duke garantuar siguri dhe cilësi maksimale.